Der, Die, Das - Gjinia e Emrit në Gjermanisht
Sapo ke mësuar fjalët e para në gjermanisht dhe rregullat e shqiptimit, gjithçka po shkon vaj… derisa përballesh me der, die dhe das. Gjinia e emrave është një nga temat më të rëndësishme të gjuhës gjermane dhe do të të shoqërojë në çdo fazë të të mësuarit. Kjo sepse çdo emër ka një gjini gramatikore, e cila ndikon edhe në mënyrën se si përdoret në fjali.
Në gjermanisht nuk ka rregulla për caktimin e gjinisë, ndaj e bën të vështirë memorizimin e fjalëve, siç duhet. Por mos u shqetëso! Edhe pse der, die dhe das mund të duken konfuze, ekzistojnë disa rregulla dhe hile të vogla që ta lehtësojnë ndjeshëm procesin e të mësuarit.
Në këtë leksion do të gjesh shpjegimet, rregullat dhe shembujt që të duhen për të kuptuar gjininë e emrave në gjermanisht. Ruaje këtë faqe dhe riktheju sa herë të kesh nevojë, derisa der, die dhe das të bëhen pjesë e natyrshme e fjalorit tënd!

Për Kujtesë - Gjinia dhe Trajta e Emrit
Nëqoftëse nuk i mban mend mirë se çfarë është gjinia ose trajta e emrit, nga mësimet e gjuhës shqipe, ja një përsëritje e shkurtër, në mënyrë që leksioni për gjermanishten të jetë plotësisht i qartë.
Gjinia e emrit është veçori gramatikore, që tregon nëse një emër është në gjininë mashkullore, femerore, ose asnjanëse. Në shqip emrat që mbarojnë me -i ose -u janë mashkullore, dhe emrat që mbarojnë me e- ose -a janë femërore. p.sh makina është në gjininë femërore, ndërsa lapsi është në gjininë mashkullore. Shqipja e njeh edhe gjininë asnjanëse, edhe pse ështe më e rrallë. Zakonisht, në gjininë asnjanëse janë emërzimet si të ecurit, të folurit, etj.
Trajta e emrit tregon nëse emri përdoret në të shquarën ose të pashquarën. Në trajtën e shquar, emri është i njohur dhe i përcaktuar për dëgjuesin / lexuesin. p.sh vajza, nëna, libri, ena, makina, lapsi janë të trajtës së shquar.
Në trajtën e pashquar, emri është i përgjithshëm dhe i pacaktuar. p.sh një vajzë, një nënë, një libër, një enë, një makinë, një laps. Emri ka trajtë edhe kur është në shumës, p.sh vajza kalon në vajzat, për trajtën e shquar. Ndërsa në trajtën e pashquarën kalon nga një vajzë, në disa vajza.
Nyja e Shquar dhe e Pashquar në Gjermanisht
Të gjithë emrat në gjermanisht kanë gjini. Gjuha gjermane ka tre gjini të emrit, mashkulloren, femëroren dhe asnjanësen.
Gjinia Mashkullore - Der / Ein
Der është nyja që shoqëron emrat e gjinisë mashkullore, në trajtën e shquar. Nyja në trajtën e pashquar e gjinisë mashkullore është ein. Në tabelat poshtë ka disa shembuj.
Emra në Gjininë Mashkullore, Trajta e Shquar | Përkthimi në Shqip |
Der Mann | Burri |
Der Vater | Babai |
Der Sohn | Biri |
Der Hund | Qeni |
Emra në Gjininë Mashkullore, Trajta e Pashquar | Përkthimi në Shqip |
Ein Mann | Një burrë |
Ein Vater | Një baba |
Ein Sohn | Një bir |
Ein Hund | Një qen |
Gjinia Femërore - Die / Eine
Die është nyja që shoqëron emrat e gjinisë femërore, në trajtën e shquar. Në trajtën e pashquar është eine. Ja disa shembuj, në tabelat mëposhtë.
Emra në Gjininë Femërore, Trajta e Shquar | Përkthimi Shqip |
Die Frau | Gruaja |
Die Mutter | Nëna |
Die Schule | Shkolla |
Die Katze | Macja |
Emra në Gjininë Femërore, Trajta e Pashquar | Përkthimi shqip |
Eine Frau | Një grua |
Eine Mutter | Një nënë |
Eine Schule | Një shkollë |
Eine Katze | Një mace |
Për të bërë kalimin e emrave nga gjinia mashkullore, në gjininë femërore zakonisht i shtojmë emrit mbaresën -in. Nyja ndryshon gjithashtu, nga der në die për trajtën e shquar dhe nga ein në eine për trajtën e pashquar.
Ky rregull vlen për shumë emra që tregojnë njerëz, por jo për të gjithë emrat në gjermanisht. Për shembull, der Tisch (tavolina) nuk ka një formë femërore die Tischin. Gjinia gramatikore e sendeve nuk funksionon në të njëjtën mënyrë si gjinia e njerëzve.
Ja disa shembuj
Trajta e Shquar
Gjinia Mashkullore | Gjinia Femërore |
Der Lehrer (mësuesi) | Die Lehrerin (mësuesja) |
Der Student (studenti) | Die Studentin (studentja) |
Der Freund (shoku) | Die Freundin (shoqja) |
Der Sänger (këngëtari) | Die Sängerin (këngëtarja) |
Trajta e Pashquar
Gjinia Mashkullore | Gjinia Femërore |
Ein Lehrer (një mësues) | Eine Lehrerin (një mësuese) |
Ein Student (një student) | Eine Studentin (një studente) |
Ein Freund (një shok) | Eine Freundin (një shoqe) |
Ein Sänger (një këngëtar) | Eine Sängerin (një këngëtare) |
Gjinia asnjanëse - Das / Ein
Das është nyja që shoqëron emrat e gjinisë asnjanëse, në trajtën e shquar. Në të pashquarën, emrat asnjanës marrin nyjen ein, që në këtë rast është njësoj si në gjininë mashkullore.
Emra në Gjininë Asnjanëse, Trajta e Shquar | Përkthimi Shqip |
Das Baby | Foshnja |
das Mädchen | Vajza |
Das Brot | Buka |
Das Zimmer | Dhoma |
Emra në Gjininë asnjanëse, Trajta e Pashquar | Përkthimi Shqip |
Ein Baby | Një foshnjë |
Ein Mädchen | Një vajzë |
Ein Brot | Një bukë |
Ein Zimmer | Një dhomë |
Duhet të theksojmë se das nuk përdoret vetëm si nyjë e shquar për emrat asnjanës. Në varësi të kontekstit të fjalisë das mund të përdoret edhe si përemër dëftor që përkthehet në ky, kjo.
Për shembull:
Das ist Ben. – Ky është Beni.
Das ist eine Katze. – Kjo është një mace.
Das ist mir egal. – Nuk më intereson. / Për mua është njësoj.
Die për Formimin e Shumësit?
Në gjermanisht, die përdoret për emrat e gjinisë femërore në njëjës, por edhe për të gjithë emrat në shumës në trajtën e shquar, pavarësisht nga gjinia e tyre. Pavarësisht nëse emri është në gjininë mashkullore, femërore ose asnjanëse, kur kalon në shumës në trajtën e shquar merr lidhëzën die.
Ja disa shembuj;
Njëjës, Trajta e Shquar | Shumës, Trajta e Shquar | Përkthimi në Shqip |
Der Hund | Die Hunde | Qeni - qentë |
Die Katze | Die Katzen | Macja - macet |
Das Kind | Die Kinder | Fëmija- fëmijët |
Das Buch | Die Bücher | Libri - librat |
Der Tisch | Die Tische | Tavolina - tavolinat |
Në trajtën e pashquar, në shumës emrat e humbasin nyjen. Kështu përshembull, nëqoftesë thua
Ich habe ein Buch (Unë kam një libër), për shumësin do thuash Ich habe Bücher (Unë kam disa libra)
Njëjës, Trajta e Pashquar | Shumës, Trajta e Shquar | Përkthimi në Shqip |
Ein Hund | Hunde | Një qen - disa qen |
Eine Katze | Katzen | Një mace - disa mace |
Ein Kind | Kinder | Një fëmijë - disa fëmijë |
Ein Frau | Frauen | Një grua - disa gra |
Ein Auto | Autos | Një makinë - disa makina |
Eine Blume | Blumen | Një lule - lulet |
Shënim: Rregullat e formimit të shumësit do i mësojmë në një leksion të posaçëm.
Grupimet e Emrave
Kur mëson fjalë të reja në gjermanisht është shumë e rëndësishme të mësosh edhe gjininë e emrave, bashkë me to. Sigurisht që ky rregull është i vështirë, sidomos për fillestarët. Por mos u shqetëso! Edhe pse formimi i gjinisë nuk ka rregulla në gjermanisht, janë disa grupime të cilat e bëjnë më të lehtë mësimin e fjalëve të reja dhe të gramatikës. Le t’u hedhim një sy.
Der
Marrin nyjen mashkullore der të gjithë emrat që
u referohen djemve dhe burrave. p.sh, der Vater (babai), der Bruder (Vëllai), der Lehrer (mësuesi)
Kafshët meshkuj. p.sh. der Bock (Cjapi) her Hahn (Gjeli), der Stier (Demi)
Ditët, muajt, stinët. p.sh der Montag (e hëna) Der April (Prilli) der Sommer (Vera)
Drejtimet gjeografike p.sh. Der Norden (Veriu) Der Osten (lindja)
Elementët e motit. p.sh der Wind (era) der Regen (shiu)
Emrat e markave të makinave. p.sh Der Audi, der BMW, der Mercedes.
Shumica e emrave të pijeve alkoolike ose bimore. p.sh der Wein (Vera) der Whisky (Uiski) der Cognac.( konjaku), der Kakao (Kakao) der Saft (lëng frutash)
Mineralet dhe llojet e gurëve. p.sh. der Granit (Graniti), der Diamant (diamant)
Emrat e maleve dhe Alpeve p.sh. der Montblanc (Mali i bardhë) der Himalaja (Himalaja).
Monedhat zyrtare. p.sh. der Dollar (Dollari) der Euro (Euro), der Frangen (Franga)
Trupat hapësinorë. p.sh. der Mond (hëna), der Stern (Ylli), der Mars (Marsi), der Pluto (Plutoni)
Në gjermanisht, ka disa mbaresa që të ndihmojnë të dallosh emrat që marrin nyjën der (gjinia mashkullore). Nuk janë rregulla pa përjashtime, por janë shumë të dobishme për fillestarët A1.
Mbaresat | Shembuj | Përkthimi |
-er | der Lehrer, der Computer | Mësuesi, Kompjuteri |
-ling | der Schmetterling Der Frühling | Flutura Pranvera |
-ismus | der Tourismus der Kapitalismus | Turizm Kapitalizmi i |
-ist | der Polizist der Journalist | Polici Gazetari |
-or | der Motor der Professor | Motori Profesori |
-ig | der Honig der Käfig | Mjalti Kafazi |
-ich | der Teppich der Bereich | Tapeti Zona / fusha |
-en | der Garten der Kuchen | Kopshti Keku |
Emrat që Mbarojnë me Die
Marrin nyjen femërore die emrat që:
U referohen femrave. p.sh die Mutter (Nëna), die Schwester (Motra) die Frau (Gruaja)
Kafshët femra, p.sh. die Katze (Macja), die Kuh (Lopa), die Henne (Pula)
Shumica e emrave abstrakte. p.sh. die Liebe (Dashuria) die Vergangenheit (E shkuara)
Shumica e emrave të luleve, pemëve dhe frutave. p.sh. die Rose (Trëndafili) die Tulpe (Tulipani) die Eiche (Lisi), die Pflaume (Kumbulla)
Emrat e aeroplanëve dhe anijeve. p.sh die Titanic (Titaniku) die Boeing 747 (Boing 747)
Numrat e emërzuar. p.sh. die Eins (numri një), die Sechzehn (numri gjashtëmbëdhjetë), die Milliarde (Miliardi)
Emrat që vijnë nga foljet dhe të cilat mbarojnë me -t. p.sh
Tun (të bësh) - die Tat (vepra)
Fahren (udhëtoj) - die Fahrt (udhëtimi)
Arbeiten (punoj) - die Arbeit (puna)
Edhe për gjininë femërore, mbaresat e emrave janë tregues që i përkasin këtij grupi.
Mbaresat | Shembuj | Përkthimi |
-ung | Die Zeitung Die Wohnung | Gazeta Banesa |
-heit | Die Freiheit Die Gesundheit | Liria Shëndeti |
-keit | Die Möglichkeit Die Schwierigkeit | Mundësia Vështirësia |
-schaft | Die Mannschaft Die Freundschaft | Ekipi Miqësia |
Emrat që Mbarojnë me Das
I përkasin gjinisë asnjanëse këto emra.
Foljet e kthyera në emra das Essen (të ngrënurit), das Lesen (të lexuarit), das Schreiben (të shkruarit)
Shkronjat alfabetit ose të notat muzikore. p.sh. Das A (A-ja), das B (B-ja), das Fis (Nota fa)
Shumica e emrave të kontinenteve, shteteve, qyteteve dhe provincave. p.sh. das Afrika (Afrika), das London (Londra), das Frankenreich (Franca).
Ngjyrat. p.sh das Blau (Blu), das Grün (e gjelbërta), das Schwarz (e zeza)
Gjuhët. p.sh das Deutsche (Gjermanishtja), das Englische (Anglishtja), das Albanische (Shqipja)
Metalet dhe elementët kimikë. p.sh. das Gold (floriri), das Chlor (klori), das
Emrat që mbarojnë me -chen ose -lein janë gjithmonë në asnjanëse, pavarësisht kuptimit të tij. Ky është një rregull absolut, ndaj fjala das Mädchen (vajza) është në neutrum.
Për të dalluar gjininë e emrit në asnjanëse, jini të vëmendshëm për mbaresat e mëposhtëme.
Mbaresat | Shembuj | Përkthimi |
-chen | Das Mädchen Das Brötchen | Vajza Simite |
-lein | Das Fräulein Das Häuslein | Zonjushë Shtëpizë |
-ment | Das Instrument Das Dokument | Instrumenti Dokumenti |
-um | Das Museum Das Zentrum | Muzeu Qendra |
-tum | Das Eigentum Das Christentum | Prona Krishtërimi |
-ma | Das Thema Das Drama | Tema Drama |
Shënim i Rëndësishëm - Të gjitha këto grupime kanë përjashtimet e tyre, nuk janë rregulla absolute. Ndaj është shumë e rëndësishme që kur të mësosh fjalë të reja, gjithnjë të mësosh edhe nyjen der, die ose das që e shoqëron.
Pyetje dhe përgjigje
Sa gjini gramatikore ka në gjuhën gjermane?
Në gjuhën gjermane ka tri gjini gramatikore: mashkullore (der), femërore (die) dhe asnjanëse (das).
Si mund ta dallojmë gjininë e një emri në gjermanisht?
Gjinia e emrit mund të përcaktohet përmes disa rregullave dhe prapashtesave tipike. Megjithatë, këto rregulla kanë përjashtime, ndaj është e rëndësishme që emrat të mësohen së bashku me nyjën e tyre.
Çfarë nyje përdoren për emrat në shumës në gjuhën gjermane?
Përgjigje: Në shumës, nyja e shquar është gjithmonë die, pavarësisht nga gjinia e emrit në njëjës. Për shembull: der Hund – die Hunde, die Katze – die Katzen, das Kind – die Kinder.
A ka përjashtime nga rregullat për gjininë e emrave në gjermanisht?
Po, ka përjashtime. Edhe pse disa mbaresa dhe kategori emrash ndihmojnë për të përcaktuar gjininë, ato nuk vlejnë për çdo emër. Prandaj, rekomandohet që emrat të mësohen gjithmonë së bashku me nyjën përkatëse: der, die ose das.


Comments