Shqiptimi në Gjermanisht - Leksion i Plotë për Fillestarët
Updated: Aug 11
Edhe nëqoftëse nuk di asnjë fjalë gjermanisht është shumë e thjeshtë të mësosh të lexosh në gjuhën gjermane. Gjithçka duhet të bësh është të mësosh rregullat bazë të shqiptimit të shkronjave dhe diftongjeve. Pas këtij leksioni dhe me pak praktikë do të jesh të gjendje të lexosh rrjedhshëm gjermanisht. Le tja fillojmë!
Si shqiptohet ‘sch’
Sch lexohet si sh, në gjuhën shqipe pavarësisht pozicionit të saj në fjalë. Ky është një nga diftongjet që do ta hasni më shpesh në gjermanisht
Ja disa shembuj;
Shembuj (Sch) | Shqiptimi | Përkthimi në shqip |
der Schnee | der shnee | bora |
die Schokolade | die shoko-LA-de | Çokollatë |
das Schlittenfahren | das SHLIT-ten-faa-ren | Rrëshqitje me slitë |
Schon | shoon | tashmë |
Schön | shyn | i/e bukur |
es schneit | es SHNAJT | bie borë |
Schenken | SHEN-ken | dhuroj |
das Geschenk | das gə-SHENK | dhurata |
ps. Vini re ndryshimin në shqiptim të fjalës schon me schön. Prania e umlautit ö ndryshon krejt kuptimin e fjalës, ndaj është shumë e rëndësishme që para së gjithash, të mësoni alfabetin gjerman dhe shqiptimin e alfabetit.
Si shqiptohet ‘ei’
Në gjermanisht, sa herë shkronja -e dhe -i shkruhen bashkë -ei lexohet si - aj.
Shembull me -ei | Shqiptimi | Përkthimi |
Ei | aj | vezë |
ein | ajns | një |
zwei | tsvaj | dy |
drei | draj | tre |
mein | majn | e imja |
dein | dajn | e jotja |
schreiben | SHRAJ-ben | shkruaj |
Der Wein | der Vajn | vera |
Si shqiptohet ‘ie’
Diftongu ie shqiptohet si -i e zgjatur. Kjo do pak praktikë, pasi fillestarët shpesh nuk e zgjasin i-në, ose e ngatërrojnë me -ei (që shqiptohet si aj). Këto ngatërresa të vogla mund të shkaktojnë hutim tek bashkëfolësi gjerman.
Le ti hedhim një sy disa shembujve;
Shembuj me -ie | Shqiptimi | Përkthimi |
Vier | fiir | katër |
Sieben | ZII-ben | shtatë |
das Lied | das liit | kënga |
riechen | RII-hen | nuhas |
wieder | VII-da | përsëri |
Siehts du? | ziist duu? | A shikon? |
Der Spiegel | der Shpii-gël | pasqyra |
Si shqiptohet ‘eu’ dhe äu
Rregulli i shqiptimit është shumë i thjeshtë; sa herë që kemi eu ose äu shqiptohet si oj. Ndryshimi mes këtyre diftongjeve duhet mësuar për hir të drejtshkrimit dhe formimit të fjalës, pasi shqiptimi është i njëjtë.
Më poshtë disa shembuj;
Shembuj me -eu | Shqiptimi | Përkthimi |
Heute | HOJ-te | sot |
die Leute | di LOJ-të | njerëzit |
euch | OJsH | ju |
das Neujahr | NOJ-jaar | Viti i Ri |
Ich freue mich auch | ih FROJ-ë mih AUH | pres me padurim |
Häuser | Hoj-zer | shtëpi |
Bäume | Boj-me | pemë |
Träume | Troj-me | ëndërr |
Käufer | Koj- fer | blerës |
Si shqiptohet ‘ch’
Ch është një nga kombinimet e bashkëtingëllore që i ka dhënë gjermanishtes reputacionin si një gjuhë e ashpër, pasi shqiptimi është grykor. Rregulli i përgjithshëm është që kur diftongu -ch ka përpara zanoret a, au, o dhe u shqiptohet me grykë si h-ja e shqipes. Kështu psh machen (bëj) shqiptohet si ma-hen.
Kur diftongu ch ka përpara zanoret i, e, eu dhe ü, tingulli h shqiptohet si një fërshëllimë, shqiptimi i të cilit është shumë i ngjashëm mes shkronjës h dhe q të shqipes. Për shembull, ich (unë) shqiptohet si ih(q).
Një këshillë: Mos u shqetëso nëse tingulli ch nuk të del perfekt që në fillim. Dëgjimi dhe përsëritja janë mënyra më e mirë për ta përvetësuar.
Shembuj me -ch | Shqiptimi | Përkthimi |
machen | Ma-hen | bëj |
hoch | hoh | lart |
suchen | zuu-hen | kërkoj |
nacht | naht(t) | nata |
Weihnachten | VAJ-nahten | Krishtlindja |
Rregulla të tjera
Gjermanishtja ka dhe disa rregulla të tjera shqiptimi, të rëndësishme për tu mbajtur mend:
Shkronja V në fillim të shumë fjalëve shqiptohet si F-ja në shqip. Për shembull, Vater (baba) shqiptohet afërsisht Fater, ndërsa Vogel (zog) shqiptohet Fogel.
Shkronja Z në fillim të fjalës shqiptohet si „ts“, afërsisht si tingulli „c“ në shqip. Për shembull, Zeit (kohë) shqiptohet Cajt, ndërsa zwei (dy) shqiptohet Tsvaj.
Kur S është në fillim të një fjale dhe pasohet nga zanore, zakonisht shqiptohet si Z. Psh. sieben → ziiben, sehen → zeen (shoh)
SP / ST në fillim të fjalës → SHP / SHT. Kështu psh. Spiegel → shpiigël, pielen → shpiilën, Straße → shtraasë, stehen → shteen
Diftongu -er në fund të fjalës zakonisht nuk shqiptohet si „er“ me r të fortë. Shpesh tingëllon afërsisht si „a“:
Psh. Mutter → mut-a, Vater → fat-a, Lehrer → leer-a, der → dea
Në gjermanisht, B, D dhe G në fund të fjalës shpesh shqiptohen si tingujt e tyre të shurdhët:
B → P
lieb → liip — i dashur
D → T
und → unt — dhe
G → K
Tag → taak — ditë
Kjo është arsyeja pse disa fjalë gjermane mund të duken sikur shkruhen ndryshe nga mënyra se si shqiptohen.
Kujtesë
Mësimi i alfabetit është hapi i parë për të mësuar gjermanishten. Para së gjithash, duhet të mësosh shqiptimin e shkronjave, në mënyrë që të mësosh si të lexosh dhe të flasësh saktë.
Për shembull, shkronja W shqiptohet gjithmonë si V-ja e shqipes. Prandaj, fjala wieder shqiptohet afërsisht vii-da.
Gjithashtu, shkronja ß shqiptohet si ss. Për shembull, Fuß (këmbë) shqiptohet afërsisht fuus.
📌 Mbaj mend: shqiptimi i saktë i shkronjave është baza për të lexuar saktë fjalët gjermane. Sa më mirë të njohësh alfabetin dhe rregullat e shqiptimit, aq më lehtë do të bëhet leximi dhe shqiptimi i fjalëve të reja.
📖 Leksionin e plotë për të mësuar alfabetin mund ta gjeni në këtë postim.
🎧 Për të dëgjuar shqiptimin e alfabetit, mund të ndiqni këtë video në kanalin YouTube të InaLingua.
Përmbledhje e Mësimit
Për t’i mbajtur mend më lehtë, këto janë disa nga rregullat më të rëndësishme:
Kombinimi / Shkronja | Shqiptimi |
sch | sh |
ei | aj |
ie | I e zgjatur |
eu | oj |
äu | oj |
ch pas a/o/u/au | h grykore |
ch pas i/e/ä/ö/ü/eu/ei | midis h dhe q |
v | f ose v, në varësi të fjalës |
w | v |
z | ts |
S në fillim të fjalës | z, në shumë raste |
Sp në fillim të fjalës | shp |
Sp në fillim të fjalës | sht |
-er në fund | Afërsisht -a e mbytur |
B në fund | p |
D në fund të fjalës | t |
G në fund të fjalës | k |
Në videon e Inalingua në youtube mund të praktikosh shqiptimin në gjermanisht duke dëgjuar dhe përsëritur fjalët. Mos harro të na ndjekësh, për më shumë leksione në gjermanisht dhe gjuhë të tjera.

Comments